Statistika

  • Numri i Vizitorëve: 71,433

Prof. Dr. Lisen Bashkurti - Serbia është peng i politikes se vet

Mbas përfundimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë u krijua perceptimi ndërkombëtar se Serbia do ndryshonte shpejt, do demokratizohej, do modernizohej, do prosperonte ekonomikisht dhe do përparonte shpejt në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Koha po tregon se midis perceptimeve rreth Serbisë së mbas luftërave në ish-Jugosllavi dhe realitetit konkret të cilin përjeton ajo ka një dallim shumë të thellë, madje në mjaft aspekte shumë asimetrik. Kjo asimetri bie në sy në radhë të parë në politiken e jashtme të përgjithshme të Serbisë dhe së dyti në politikën e saj ndaj fqinjësisë.

Këto dy asimetri përbejnë në thelb sfidat tani për tani të pakapërcyeshme të Kapitujve 32 dhe 35 të negociatave për anëtarësim midis Serbisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian.

Në aspektin e politikës së jashtme, Serbia po sfidohet në qasjen ndaj politikave të jashtme të BE-së. BE në ketë aspekt kërkon orientime të përbashkëta të shteteve anëtare; kërkon që të përafrohen prioritetet kryesore; synon që të arrijë qëndrime të përbashkëta për çështje me rëndësi komunitare; si dhe koordinim në veprimet e shërbimit të jashtëm të BE-së.

Politika e jashtme e Serbisë nuk përputhet me këtë strategji të politikës së jashtme dhe të diplomacisë së BE-së. Strategjia e politikës së jashtme të Serbisë vazhdon të jetë Euro-Ruse në tërë aspektet e saj. Karakteri bivektorial Euro-Rusi i strategjisë së politikës së jashtme dhe diplomacisë së Serbisë është në asimetri të plotë me politikën e jashtme dhe diplomacinë e BE-së.

Në aspektin e zgjerimit ndërmjet politikës së fqinjësisë së mirë, BE-ja kërkon nga vendet kandidate që të kenë kapërcyer gjithë problemet me fqinjët e tyre bazuar në Nenin 2 të Kartës së OKB-së për zgjidhjen paqësore të konflikteve. BE-ja nuk preferon që të anëtarësojë shtete që bartin kriza dhe probleme brenda organizatës. BE-ja kërkon që shtetet të vijnë brenda organizatës pa problematika serioze me fqinjët e tyre.

Serbia ka probleme shumë serioze me fqinjët. Nyja themelore e krizës së politikës së fqinjësisë së mirë është njohja e shtetit të pavarur të Kosovës. Kjo nyje kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, që është pengesa më serioze politike për njohjen e Kosovës.

Probleme serioze ka politika e fqinjësisë së Serbisë edhe me Bosnjën & Hercegovinën. Nyja e problemit qëndron të vijimi i strategjisë së gjeopolitikës së vjetër Serbe brenda Bosnje & Hercegovinës, të bartur dhe të zbatuar nga Republika Serbska.

Beogradi vazhdon të sillet si etno-center ndaj Republikës Serbska, duke penguar funksionimin unitar të shtetit dhe të demokracisë në Bosnje & Hercegovinë si dhe integrimin e saj në strukturat Euro-Atlantike. Kohët e fundit nacionalistët dominues serb në Republikën Serbska kërkojnë referendum për t’u ndarë në vete nga Bosnje & Hercegovina.

Përballja e Serbisë në negociatat për anëtarësim me BE-në, do jetë shumë sfidante në Kapitujt 32 dhe 35. Faktikisht politika Serbe është e papërgatitur për t’i zgjidhur këto sfida, së paku për periudhë të afërt.

Në rrafshin e politikës së jashtme, Serbisë i duhet të zgjedhë midis orientimit Evropian ose atij Rus. Në rrafshin e politikës së fqinjësisë, Serbisë i duhët të heq dorë nga Kushtetuta aktuale që pengon njohjen e Kosovës si dhe të tërhiqet nga doktrina nacionaliste për Bosnje & Hercegovinën.

Serbia është peng i politikës së vet. Pa dalë nga ky rreth vicioz ku e ka futur vetveten, pa zgjidhur dilemat e saj të brendshme, pa hequr dorë nga politikat e jashtme dhe fqinjësore ambige, portat e BE-së nuk do të hapën për Serbinë.